NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 

Visaret e kulturës Çeke në mëshirën e ujërave

ARTIKUJ VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Pas introduktës së euros në Kosovë:
GËZIMI I KTHYER NË ZHGËNJIM

Shkruan: Skerdi SIKA


S’ka shumë kohë qëkur introdukta e euros pritej me shpresa të mëdha ndër banorët e Kosovës. Pritjet në euron varionin prej atyre jorealiste deri në përrallore. Në shoqërinë etnikisht të ndarë të Kosovës, euroja qe sigurisht e vetmja ”temë e nxehtë” që nxiste ndjenja identike pozitive si ndër shqiptarët, ashtu edhe ndër minoritarët.

Por qëkur euroja hyri në Kosovë, shpresat e para janë kthyer në kaos e zhgënjim të plotë. Introdukta e euros ka shkaktuar tërmet prej dhjetë ballësh të Rihterit në ekonominë kosovare. Në lëmin e konsumit privat, euroja ia ka ngulur gozhdën e fundit në arkivol amvisërisë së shumicës së kosovarëve.

Shtrenjtime të papërballueshme

Arsyeja është e njëjtë në Kosovë si në thuaja tërë vendet ku është introduktuar euroja: konvertimi prej valutës vendore në euro u pasua me shtrenjtime. Në rastin e Kosovës, këto shtrenjtime, për banorët vendas, të varfëruar nga dekadat e shembjes të ish Jugosllavisë e nga pasojat e luftës, kanë pasoja katastrofike.

Në Kosovë, ndërmarrësit vendorë i ranë në fije mjaft shpejtë se si të shfrytëzohej maksimalisht kalimi në euro. Qysh të nesërmen e konvertimit, në tabelat e çmimeve marka gjermane u zëvendësua me euron, por pa u ndërruar shifra para saj. Kështu, një mall që kushtonte 1 markë gjermane, qysh të nesërmen e konvertimit kushtonte hiç më pak se 1 euro, pra rrafsh dyfishi i çmimit të mëparshëm. Në shumë raste, kur çmimet ishin të thyera, ato madje u rrumbullakësuan përpjetë (!) p.sh. nga 1.40 marka gjermane në 1.50 euro.

S’do mend se rrogat e kosovarëve nuk u ngritën njësoj. Në sektorin botor, që kontrollohet fund e krye prej misionit të OKB-së, ato ngecën mu ashtu si ishin. Kjo përkundër faktit se zyrtarët e OKB-së në Kosovë kishin pasur mundësi sa të donin për ta paraparë me kohë efektin numër një të konvertimit.

Në sektorin privat të ekonomisë, i cili punon ende konform ligjeve të xhunglës, në shumë raste rrogat madje u rrumbullakësuan teposhtë. Në një vend ku 60 përqind të fuqisë punëtore janë pa punë, punëdhënësit kishin mundësi ta vendosin kursin konvertues pak a shumë sipas dëshirës, ndonëse ai zyrtar ish botuar në media.

Përfundimi i logjikshëm është se introdukta e euros në Kosovë brenda natës e zbriti përgjysmë (!) fuqinë blerëse të konsumuesit kosovar: pa asnjë subvencion shoqëror, pa ndihmesa ekstra prej botës së jashtme, e pa i bëri syri tërr misionit të OKB-së.

Ekonomia para kolapsit

Sikur Kosova ta kishte një ekonomi dinamike e ekspanzive, mbase këto efekte do të përmendeshin si sëmundje foshnjore të valutës së re.

Puna është se ekonomia kosovare ishte para kolapsit qysh para se të konvertonte në euro. Sipërmarrjet industriale të xehetarisë, që një herë e një mot i siguronin ish-Jugosllavisë gjysmën e totalit të plumbit, zinkut e argjendit, dergjen të ndryshkura tash e 20 vjet. Shpresat më optimiste për to momentalisht janë se dikush do t’i blejë e t’i shesë si hekurishte, njësoj si ndodhi me xeheroret britanike në vitet 1980.

Shpresa e vetme e Kosovës, ekonomia e mesme dhe e vogël, bazohet kryesisht mbi sektorin e shërbimeve. Restorantet, kafenetë, kafeteritë e ëmbëltoret e panumërta konkurrojnë për t’u shkulur klientëve gjithnjë e më të varfër edhe cikërrimat e fundit prej xhepit.

Në tërë Kosovën numërohen në gishtat e duarve ndërmarrjet që prodhojnë diçka, një qumështore këtu, një birrari atje, dy-tri firma orendishë që prejnë, sharrojnë e zdrukthojnë dora vetë kopje orendishë perëndimore në oborret e ndërmarrësve. Dhe, mu në mesin e vobegtësisë, nja dy-tri firma të dizajnit interaktiv, që duken si inserte surrealiste në amullinë kosovare.

Protesta në Evropë - e jo në Kosovë!

Se si u ka shpëtuar Kosova trazirave sociale pas konvertimit në euro, këtë s’di të ta thotë saktësisht njeri i gjallë. Por, shumëkush bën me gisht drejt disa faktorëve. E para është mefshtësia e llogaritur e partive vendore politike. Ato s’e kanë t’ia dëftojnë zgjedhësve të vet as edhe një sukses të vetëm për be që të jetë arritur që prej shporrjes së okupacionit e këtej. Andaj, atyre u konvenon që t’i duartrokasin rrobat e reja të perandorit. „Mbase s’na lënë të hyjmë në Evropë për dere, por ne futemi për dritare [lexo: përmes euros]“ , - ky qe komenti standard i kosovarit në rrugë gjatë ditëve të para të euros; kosovari i shkretë si duket kish harruar, që dyert e dritaret i ngatërrojnë vetëm hajnat!

E dyta, që duhet përmendur patjetër, është se misioni i OKB-së ka ndërtuar një autokraci dorëfortë në Kosovë, e cila ia ka thyer kurrizin të gjithë oponentëve të vet vendorë. Në një vend ku policia të rrah e të arreston, e shefi i UNMIK-ut të mban në burg pa gjyq -madje edhe kundër vendimit të gjyqit- me vjet të tëra, s’ka shumë njerëz që guxojnë t’i vënë në pikëpyetje të vërtetat standarde të servuara prej ndërkombëtarëve.

Në vendet tjera, të cilat kanë ekonomi shumë më të fortë se sa Kosova, protestat kundër euros janë element standard i jetës politike. Në Greqi, blerësit privatë bojkotuan në shenj proteste për një ditë të tërë shitoret vendore, pas rritjes së çmimeve mëse 100 përqind.

Introdukta e euros ka shkaktuar probleme edhe në vendet të cilat e kanë advokatuar ekzistencën e saj. Gjermania, Franca, Italia, e Belgjika, të gjitha janë në prag të braktisjes së politikës së përbashkët ekonomike, që presupozon maks 3 përqind deficit e 1.5 përqind inflacion vjetor. Portugalia, një tjetër vend që shpresonte shumë te introdukta e euros, u eksponohet tani dënimeve kolektive nga partnerët në BE për shkak se s’ka mundur dot ta bëjë zap krizën e shkaktuar pas introduktës së euros.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË