NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Çfarë halu-cinogjenesh
përdorka
gjeneral
Valentaion?!
 
Sfida e madhe
e Qeverisë së Kosovës: për çdo përqind papunësi, humbjet janë dyfishi
 

Kosova Lindore: regjistrim, zgjedhje lokale, e pastaj?

 
Frika e
kolumbianizimit
të Shqipërisë
 
Federata serbo-malazeze:
Shteti që jeton
në dializë
 
Bashkimi
Evropian
dhe Ballkani
 
Varrimi i luftës
së ftohtë
 
Fati tragjik i
gjermanëve të
Vojvodinës
 
Gazetaria në
Unmikistan
 
Kullerat e
Kosovës
 
Pse kapitulloi
Millosheviqi?
ARTIKUJ VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës
Konflikti që patjetër duhej kryer

Shqiptar OSEKU

Më 23 maj 2002, qytetarët e Kosovës patën rast të shohin me sytë e vet se si funksionon demokracia unike e Unmikistanit. Më konkretisht, asaj dite Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë simbolike që konteston ujdinë shtetërore të janarit 2001 mes Beogradit e Shkupit për t'i thënë IRJM-së ("Maqedonisë") 2.500 ha të territorit kosovar. Pos kësaj, Kuvendi i Kosovës në rezolutë kërkoi që t'i mundësohet ajo që i është premtuar solemnisht, pra se do të mund ta ushtrojë pushtetin e vet në tërë territorin e Kosovës. Së fundit, Kuvendi kërkoi që NATO-ja e UNMIK-u t'i përmbushin obligimet e marra me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë, e të mundësojnë qarkullim të lirë në tërë Kosovën.

Kjo rezolutë, që në rrethana tjera do të quhej e padiskutueshme, madje e butë, në demokracinë á-là Unmikistan shkaktoi tërmet të 9 ballëve të Rihterit. Rezoluta u "anulua" (?) nga kreu i UNMIK-ut, z. Mikel Shtajner. Ajo u gjykua nga Këshilli i Sigurisë, nga amerikanët e nga evropianët e Brukselit. Sa për Moskën, a për vetë Beogradin e Shkupin, le të mos flasim fare: ata rezolutën e cilësuan - bukvalisht! - si "provokim" e "shpallje lufte"!

Në aktin tragjikomik që përmbylli aferën e rezolutës, parlamentarëve kosovarë iu ndanë zemërgjërësisht tri leksione politike se si u dashka të sillen tash e tutje, në qoftë se duan ta futin kubin në vrimën cilindrike të UNMIK-ut.

Leksioni një: Kontestimi i vendimeve të UNMIK-ut, sado abnormale të jenë ato, është a priori kundër rezolutës 1244 dhe, si pasojë, kundër paqes e sigurisë në rajon. Leksioni dy: Nëse s'i merr kthesat shpejtë e bie në kundërshtim me interpretimin aktual të rezolutës 1244 ashtu si na duhet neve sot, ti mund të anulohesh. Dhe leksioni tre: Lexo sërish leksionin numër një.

Në vend të protestave, të cilat, pra, a priori janë në kundërshtim me rezolutën 1244, parlamentarëve të Kosovës iu këshillua të merren me "çështje më urgjente". Si p.sh. të debatojnë lirisht për gjithçka, pa vendosur gjë. T'u duartrokasin vendimeve të UNMIK-ut (alternativa shpien automatikisht drejt leksionit një si më lartë). E, në kohën e lirë, të arsyetohen para qytetarëve për mungesat e fondeve për rroga, pensione, probleme sociale etj. ashtu që populli i Kosovës të ketë kë ta rrëzojë nesër, pasnesër me vota të lira.

Në këtë mënyrë, UNMIK-u i civilizuar e ka bërë hesap ta çlirojë kombin e prapambetur shqiptar prej vesit primitiv të nacionalizmit. E në këtë altar të shenjtë, çka dreqi luajnë rol nja 2500 ha tokë andej a këtej?

Jo deh, 2 500 ha tokë shqiptare s'janë problem. Të ishin toka amerikane, gjermane a - ruana Zot! - franceze, atëherë do të bëhej hataja. Po tokat shqiptare, siç e dimë ne të gjithë, janë historikisht pak si më të padhembshme.

E në qoftë se parlamentarët nuk duan?

Përgjegja është e thjeshtë: Ndryshe dallëndyshe! Ata mund të anulohen. Së pari rezolutat e tyre, e po ngulën këmbë marëzisht, edhe ata vetë si parlamentarë.

(Tashti, kjo e fundit s'është stipuluar katërçipërisht me shkrim ndokund, por sigurisht që imtësira të tilla s'ia prishin gjumin shefit të UNMIK-ut. Pse, a s'e paska UNMIK-u llastikun 1244 në xhep?)

Natyrisht, Unmikistani s'do të ishte Unmikistan, po të mos gjeheshin disa arsyetime legaliste për "anulime". Si p.sh. se nuk qenka kompetencë e Kuvendit të Kosovës të vendosë për "politikë ndërkombëtare".

Pse, qenka kompetencë e Beogradit të vendosë për kufinjtë e Kosovës pa i pyetur shqiptarët? Nëse po, ahere ç'dreqin bën këtu UNMIK-u? I cili, ta themi shkarazi, për punët e veta "të mëdhaaja" vë dorë (konform rezolutës 1244 kuptohet) në mbi 60 përqind të taksave kosovare?

Ajo që e bën punën skandal është fakti se rezolutat rëndom nuk janë detyrimore, por e shprehin qëndrimin aktual të një parlamenti. Vendimet i merr ekzekutivi, dtth qeveria. "Anulimi" i rezolutës kosovare, pra, është sinjal se kosovarët s'bëka as të mendojnë e të marrin qëndrim politik, e lëre më të vendosin a të veprojnë.

Në këtë mënyrë nuk krijohet një shoqëri demokratike, që mendon e vepron lirshëm. Kështu formësohen vetëm vartës të bindur, të cilët nesër, pasnesër s'do të protestojnë fare kur t'u prishë drejt thikës së kasapit.

Ky konflikt, ashtu si të gjitha konfliktet me bashkësinë ndërkombëtare, nuk i bën mirë Kosovës, biles për aq kohë sa kombi shqiptar nuk është i aftë t'i dalë zot vetes ashtu si duhet.

Por kuvendarët e Kosovës mund të ndjehen të qetë. Rezoluta e tyre qe e denjë, e matur, e orientuar paqësisht, dhe thellësisht e drejtë. Në Kosovë, i madh e i vogël e kupton që që djajtë e këtij konflikti specifik s'kishim çare pa i kapur për brirësh, herët a vonë. Ky konflikt, thjesht, duhej kryer patjetër, ashtu si foshnja që duhet t'i kryejë sëmundjet e foshnjërisë.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË